Historiku i Qendrës për Këshillim në Karrierë

Në mars të vitit 2015, me iniciativë të Kryetarit të Komunës, z. Shpend Ahmeti, Komuna e Prishtinës ka themeluar Qendrën për Këshillim në Karrierë, e cila krijon parakushte për lidhjen e shkollave për arsim dhe aftësim profesional (SHAAP) me sektorin privat. Kjo do të kontribuojë tek studentët e SHAAP-së në ndërtimin e efektshmërisë ndërpersonale, rritjen e mundësive për karrierë, përmirësimin e tregut të punës, promovimin e gjetjes efektive të vendit të punës dhe përforcimin e marrëdhënieve më punëdhënësin.

Roli i Qendrës për Këshillim në Karrierë

Qendra për Këshillim në Karrierë e Komunës së Prishtinës, do të ketë rol vendimtar në përforcimin e lidhjeve në mes të sektorit privat dhe SHAAP-së.

Qendra do t’u ofrojë nxënësve të SHAAP-së mundësitë për të fituar njohuri, aftësi, përvojë për t’i identifikuar mundësitë, për të shqyrtuar alternativat në tregun e punës dhe për të pasur sukses në shoqëri.

Vizioni

Të jetë qendër model në Kosovë, e cila do t’i mbështesë të rinjtë e shkollave profesionale në përgatitjen dhe orientimin e tyre, për të bërë zgjedhjen dhe hapat e duhur drejtë zhvillimit të një karriere të suksesshme.

Misioni

Misioni i Qendrës është që t’i ndihmojë të rinjtë e shkollave profesionale në zbulimin e talentit dhe shfrytëzimin e potencialit të tyre për të arritur aspiratat në karrierë. Përmes ofrimit të këshillave dhe trajnimeve të ndryshme, Qendra mbështet të rinjtë me njohuritë dhe teknikat më të reja, për t’i bërë ata sa më konkurrentë në tregun e punës.

Grupi i synuar

Grupet me të cilat Qendra punon, janë: të rinjtë e diplomuar në shkollat profesionale të Prishtinës dhe kompanitë private dhe publike.